
Mitrovicë, 26 maj (BotaSport) Trepça e ka mposhtur Sigal Prishtinën me rezultat 80:74, në ndeshjen e dytë të serisë finale të play-off-it në BKT Superligën e Kosovës në basketboll, duke e barazuar kështu rezultatin në 1-1.
Kjo ndeshje është dominuar nga fillimi e deri në fund nga skuadra mitrovicase. Trepça e nisi mjaft mirë këtë duel dhe çerekun e parë e përfundoi me 11 pikë epërsi, 24:13.
Mitrovicasit vazhduan me lojë të mirë edhe në çerekun e dytë dhe pjesën e parë e përfunduan me tetë pikë epërsi, 45:37.
U mendua se pas pushimit, Prishtina do të këndellej, por Trepça vazhdoi me lojë të njëjtë dhe çerekun e tretë e përfundoi me 10 pikë avantazh, 60:50.
Sikurse gjatë tërë takimit, ‘Xehetarët’ vazhduan edhe në 10 minutëshin e katërt, të cilin e përmbyllën me gjashtë pikë diferencë, 80:74, që njëkohësisht ishte edhe rezultati përfundimtar.
Ndeshja e tretë ndërmjet këtyre dy klubeve, do të zhvillohet në kryeqytet të mërkurën e ardhshme.
Fjalët Kyqe: BKT Superliga, FBK, Sigal Prishtina, Trepça
