Prishtinë, 3 prill (BotaSport) – Xhudistja Majlinda Kelmendi është shpërblyer nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe institucionet tjera qeveritare me një shumë prej 25 mijë euro, për sukseset e shënuara në arenën ndërkombëtare. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Memli Krasniqi, ka nënshkruar sot vendimin për shpërblimin e xhudistes me 10 mijë euro.
Në një takim që ka pasur me xhudisten dhe trajnerin e saj, Driton Kuka, ministri ka njoftuar se përpos kësaj shume, me propozim të tij, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka ndarë 10 mijë euro, po ashtu edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ndarë 5 mijë euro. Sipas ministrit kjo mbështetje nuk është as e para dhe as e fundit. Ai shtoi se është mjaft inkurajuese që tashmë është zgjeruar mbështetja institucionale për xhudisten Kelmendi. “Sukseset e saj ndërlidhen me të gjitha fushat dhe janë promovimi më i mirë që Kosova është duke e bërë në arenën ndërkombëtare. Ajo qe një kohë të gjatë është një ambasadore e vërtetë e Kosovës, është një promovuese e vendit tonë dhe është, siç e kam thënë shpesh, krenaria e sportit të Kosovës”, ka thënë ministri Krasniqi.
Ndërkaq, Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj, Driton Kuka, kanë thënë se për ta është një moment i veçantë ndarja e këtij shpërblimi. “Ju po dëshmoni se përkrahja është e vazhdueshme. Përpos në aspektin financiar ju po na ndihmoni edhe në aspekte tjera. Gjithë opinioni duhet ta dijë se meritat më të mëdha për punën e Lunacek ju takojnë juve”, ka thënë xhudistja Kelmendi.
“Është kënaqësi që kjo është ditë solemne sepse i gjithë opinioni po njoftohet për përkrahjen që sportistja jonë e ka. Ka ardhur një moment kyç që një sportiste është në agjendat kryesore politike dhe sportive. Norma olimpike që ka siguruar Majlinda po shfrytëzohet më së miri nga ministri Krasniqi dhe me punën e tij është arritur që të ketë një rezolutë në Parlamentin Evropian ku përmendet kërkesa për pjesëmarrjen e sportistëve tanë në Lojërat Olimpike”, ka thënë trajneri Kuka.
Në ndërkohë, ministri Krasniqi ka thënë se ka bindjen se sukseset e Majlindës do të jenë një frymëzim edhe për shumë sportistë tjerë nga Kosova. Institucionet shtetërore, në veçanti MKRS, tha ministri do të jenë gjithmonë në përkrahje për sportistët kulmorë. “Më lejoni të konfirmoj se mbështetja do të vazhdojë gjatë gjithë kohës, por edhe për të gjithë sportistët tanë që arrijnë suksese kulmore në arenën ndërkombëtare. Unë shpresoj se shembulli i saj do të jetë një frymëzim për sportistët tanë në sporte të ndryshme, për suksese në Kosovë dhe arenën ndërkombëtare”. Në fjalën e tij ministri Krasniqi ka shfrytëzuar rastin të falënderojë edhe Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve, që në fillim të vitit 2011 i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së tij, për ta mbështetur xhudisten Kelmendi.
Në lidhje me angazhimet për ta siguruar pjesëmarrjen e Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, ministri ka njoftuar se agjenda e tij e takimeve edhe në javët e ardhshme do të jetë mjaft e ngjeshur. “Ne kemi një shembull të jashtëzakonshëm të suksesit që ballafaqohet me sfida në arenën ndërkombëtare. Majlinda është baza e të gjitha diskutimeve që unë kam pasur me instancat ndërkombëtare të sportit. Madje edhe gjatë përpilimit të përbashkët me raportuesen Lunacek të amandemnetit në rezolutën e Parlamentit Evropian për Kosovën, ku është përfshirë edhe kërkesa që sportistëve kosovarë t’i mundësohet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike, bazë kryesore e kësaj kërkese ka qenë Majlinda”, ka shtuar ministri, teksa ka njoftuar se më 23 dhe 25 maj do të jetë në Quebec të Kanadasë, ku do të mbahet takimi i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Ministri ka thënë se tashmë Kosova ka kërkesën e qartë për formën e pjesëmarrjes së Majlindës në Olimpiadë. “Është ëndrra e të gjithëve që Majlinda ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Ne kemi kërkuar si alternativë tjetër që ajo të jetë si sportiste e pavarur nën flamurin olimpik dhe kjo do të thotë se ajo përfaqëson Kosovën, por e privuar nga e drejta e përdorimit të flamurit. Unë do të jem në Quebec dhe do të kem takim me të gjithë njerëzit që janë pjesë e vendimmarrjes dhe shpresoj se nga atje do të kthehemi me përmbushjen e vullnetit të Majlindës”, shtoi ministri. Në lidhje me vendimin e Kosovës për formën e pjesëmarrjes së Majlindës në LO “Londra 2012”. Edhe trajneri Kuka ka thënë se për ta ky do të ishte një përfaqësim më i mirë i Kosovës, nëse nuk arrihet që të ketë përfaqësim të plotë të shtetit. Ministri është pyetur nga mediet edhe për mundësinë e shpalljes së xhudos si sport prioritar. “Unë e kam thënë në Pejë, publikisht, në klubin Ippon, ku kam parë gjithë atë punë të madhe që bëhet, se xhudo duhet të ketë status prioritar. Fakti se sot kemi një normë olimpike, dhe në vitin 2016 unë jam i sigurt se do të kemi më shumë, është fakt i mjaftueshëm për ta pasur në konsideratë këtë. Si pjesë e akteve nënligjore do të kemi një lloj të kategorizimit të sporteve, dhe kjo do të ndodhë rëndom sipas ciklit olimpik”, është shprehur ministri.
Fjalët Kyqe: FB, Kelmendi, Krasniqi, Xhudo
