Prishtinë, 31 maj (BotaSport) – Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Memli Krasniqi, ka pritur sot në një takim futbollistët nga Kosova që mbrojnë ngjyrat e kombëtares së Shqipërisë në futboll, Armend Dallku dhe Debatik Curri.
Dallku është po ashtu pjesë ekipit ukrainas Vorskla Poltavës, që bën gara në ligën superiore, ndërkaq Debatik Curri luan për ekipin turk Gençerbiligi, që po ashtu bën pjesë në ligën superiore. “Të dytë janë shembulli më i mirë për punën e madhe, pasi që të dytë karrierën e kanë nisur në Kosovë. Sukseset e tyre dhe të futbollistëve të tjerë nga Kosova kanë bërë krenar gjithë popullin dhe kanë shërbyer si frymëzim për shumë gjenerata të reja. Vetë fakti që karrierën e kanë filluar në Kosovë dhe nga këtu keni kaluar në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi. Ministri i njoftoi futbollistët me zhvillimet në futbollin e Kosovës, duke u ndalur veçanërisht në vendimin e FIFA-s që të lejojë ndeshjet miqësore. Ky vendim, është një lajm shumë i rëndësishëm për të gjithë. “Do të jetë një motivim i madh për të rinjtë se e ardhmja e tyre në futboll do të jetë e ndritur dhe ata do të jenë të barabartë si të gjithë futbollistët në botë”, ka shtuar Krasniqi. Ministri tregoi prej vitit të kaluar sporti është një prioritet dhe se këtë vit investimet në përmirësim të infrastrukturës dhe mbështetje të federatave janë rritur. Ministri tha se tash me vendimin e FIFA-s investimet do të jenë edhe më të mëdha, për të krijuar kushte sa më moderne për zhvillim të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, por po ashtu edhe për gara brenda vendit.
Nga ana tjetër, futbollistët Dallku dhe Curri falënderuan ministrin për pritjen dhe vlerësuan angazhimin që po bëjnë institucionet e shtetit për zhvillim të sportit. Ata premtuan se do të angazhohen për afirmim të sportistëve nga Kosova dhe për të ndihmuar në aplikim të përvojave më të mira në organizim të klubeve dhe garave.
Fjalët Kyqe: Curri, Dallku, FB, Krasniqi
