
Prishtinë, 30 maj (BotaSport) – Nesër mbrëma do të zhvillohet ndeshja e tretë finale e play-offit, në BKT Superligën e Kosovës në basketboll në mes të Sigal Prishtinës dhe Trepçës.
Aktualisht rezultati mes tyre është 1-1, në serinë e ndeshjeve finale. Andaj, të dyja taboret thonë se do ta japin atomin e fundit për të shënuar fitore në këtë takim, për të qenë vetëm një hap larg titullit të kampionit.
Prishtinasit synojnë që ta shfrytëzojnë përkrahjen e tifozëve të tyre dhe ta shënojnë fitoren e dytë përballë ‘Xehetarëve’, për ta bërë kështu një hap të madh drejt titullit, sepse më pas do t’u nevojitej vetëm edhe një fitore për t’u shpallur kampionë.
Në anën tjetër, edhe Trepça do ta japë maksimumin që ta mposht Sigal Prishtinën midis kryeqytetit, sepse ndeshjen e radhës do ta zhvillojë në shtëpi të vet, dhe me fitore eventuale do ta rrëmbente titullin e më të mirit.
Përballja mes këtyre dy skuadrave do të nis në ora 19:00.
Fjalët Kyqe: Basketboll, BKT Superliga, FBK, Sigal Prishtina, Trepça
